Anëtarja e parlamentit ukrainas, Lesia Vasylenko, paralajmëroi se Rusia është dukë kërkuar zgjerimin e kufijve dhe mbetet thjesht çështje kohe, sulmi ndaj Polonisë.
“Rusët po përpiqen të zgjerojnë kufijtë e tyre dhe unë mendoj se brenda një kohe të shkurtër ata do të fillojnë të sulmojnë Poloninë. Rusia nuk është duke u ndalur. Ata do të vazhdojnë sulmet në të gjithë bllokun e vendeve të Evropës lindore për të rikthyer perandorinë ruse për të cilën ata kanë ëndërruar prej kohësh. Në thelb, kjo do të ishte një shpallje e luftës ndaj vendeve të Evropës dhe atyre të NATO-s”, tha deputetja e parlamentit ukrainas.
Ajo tha se do të nevojiten sanksione më të forta për të ndalur veprimet e Rusisë dhe i bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Moskës. Sulmi rus ndaj Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar largimin e më shumë se 2.5 milionë njerëzve nga vendi.
Trupat e NATO-s në Poloni ndodhen rreth 25 kilometra larg bazës ushtarake ukrainase që u godit nga Rusia. Polonia është një vend kyç për dërgimin e ndihmës ushtarake perëndimore në Ukrainë.