Në ditën e 5 të protestës kundër rritjes së çmimeve, një nga organizatorët e kësaj proteste ka folur para qytetarëve.
Aktivisti Migen Qiraxhi është shprehur se shqiptarët nuk kanë turp të protestojnë dhe se turp duhet t’i vijë qeverisë kur bombat bien mbi Ukrainë dhe viktimat janë në Shqipëri.
“Shqiptarët nuk kanë turp të protestojnë, të bashkohen. Kryeministri i cili i vë gishtin e turpit qytetarëve të vet, duhet të kuptojë së shumica janë në shesh, duke izoluar në vetmi prapa dyerve të herkurave. Turp është të vjedhësh, turp është të lësh popullin të varfër, turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai. Turp është kur bombat bien në Ukrainë dhe viktimat janë në Shqipëri. Turp është të mbash një vend më të varfrin në rajon, turp është të mos i japësh shëndetësinë qytetarëve, turp është t’i mbash më të varfër në rajon, një popull pasuria e të cilit është më e larta në rajon. Ne dolëm për dinjitetin tonë, qytetarët dalin për hallin e vet, as për hallin e kryetarit apo të politikanit të radhës. Sot jemi mbledhur sërish për t’i thënë që nuk dorëzohemi. Kërkojmë një jetë ashtu siç e meritojmë”,-u shpreh ai.