Kryeministri Edi Rama ka zbardhur telefonatën që zhvilloi me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Rama shkruan se me presidentin ukrainas ka folir lidhur me sulmet ruse si dhe për angazhimin e Shqipërisë përmes diplomacisë për të ndihmuar Ukrainën.
Kreu i qeverisë thotë se Zelensky e ka falënderuar për ndihmën e Shqipërisë, duke qenë dhe bashkëpenëmbajtëse së bashku me SHBA në OKB për çështjen e Ukrainës.
“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse,”-shkruan Rama./Opinion.al