Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka thirrur sot në një takim të posaçëm përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë.
Gjatë takimit Xhaçka i ka informuar ata mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me agresionin rus mbi Ukrainën.
“Shqipëria po bën gjithçka që mundet, në maksimumin e aftësive dhe kapaciteteve të saj. Vetoja e Rusisë bllokoi miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Por ky nuk ishte fundi i rrugës dhe rezoluta po diskutohet me të gjithë botën në Asamblenë e Përgjithshme, ku jemi optimistë, se falë përpjekjeve të të gjitha vendeve tuaja dhe shumë të tjerave, kjo rezolutë do të kthehet në një ushtrim që demonstron përkushtimin e botës ndaj Kartës së OKB-së dhe ndaj parimeve bazë të sistemit të bazuar në rregulla që ne kemi rënë dakord të respektojmë. Kam udhëzuar të gjitha ekipet shqiptare, në OKB, OSBE, Këshillin e Evropës, Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe çdo forum tjetër ndërkombëtar apo rajonal, që të miratojnë të njëjtën qasje proaktive në mbështetje të Ukrainës dhe në denoncimin ndaj Rusisë”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
Ndër të tjera ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se nëse BE-ja është e bashkuar si tani ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor nuk do të preket nga përpjekjet për të nxitur telashe.
“Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit. Sinjalet që po marrim tani tregojnë se BE-ja është e fokusuar tani siç nuk ka qenë për një kohë. Nëse BE-ja është e bashkuar dhe e përkushtuar, nëse tregon të njëjtën vendosmëri siç po tregon në mbështetje të Ukrainës tani, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më i prekshëm ndaj përpjekjeve për të nxitur telashe dhe grindje dhe do të përfitojë siguria e Evropës në tërësi”, tha ajo.