Presidenti rus Vladimir Putin e quajti Perëndimin një “Perandori gënjeshtrash ” teksa diskutoi mbi ekonominë me zyrtarë të lartë të hënën pas vendosjes së sanksioneve gjithëpërfshirëse kundër Moskës.
“Kryeministri Mikhail Mishustin dhe unë diskutuam këtë temë, natyrisht duke pasur parasysh sanksionet që i ashtuquajturi komunitet perëndimor – siç e quajta në fjalimin tim “perandoria e gënjeshtrave – tani po përpiqet të zbatojë kundër vendit tonë ”, ka thënë Putini raporton Reuters.
Sqarimet e mëtejshme i dha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se Rusia ka planifikuar një rrugëdalje nga sanksionet e perëndimit. Duke i konsideruar masat ndëshkuese ekonomike shumë të ashpra, ai tha se qeveria ka potencialin e nevojshëm për të kompensuar dëmet. Madje, po tenton që t’i kundërvihet perëndimit duke vendosur kufizime.
Rusia ka njoftuar se ka ndaluar fluturimet e linjave ajrore në 36 vende, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Kanadanë, etj.
Vendimi është marrë në përgjigje të sanksioneve të vendosura nga shtetet evropiane për fluturimet nga Rusia./Opinion.al