Në një lidhje nga Kievi, violinisti ukrainas Dima Tkachenco tha se krahasuar me një ditë më parë situata gjatë ditës së sotme në Kiev nuk ishte dhe aq e qetë. Ai u shpreh se dita ka qenë e shoqëruar me shpërthime dhe sirena alarmi, por të largohesh nga Kievi dukesh tradhtar.
“Si fillim më duhet të them se për mua personalisht nuk diskutohet dalja nga Kievi. Duke u larguar nga Kievi dukesh si tradhtar”.
Sa i përket furnizimit me ushqime, ai u shpreh se sot marketet janë hapur pasi është hequr ndalimi i qarkullimit dhe në dyqane ka furnizime për popullatën.
“Ditën e djeshme e kishim ditën më të qetë, por situata sot nuk ishte aq e qetë. Ne kishim shumë shpërthime dhe kishim sirena që alarmonin herë pas here gjatë natës. Kishte dylyftime rrugëve para disa ditëve sepse kishte grupe që luftonin dhe ushtria jonë u përpoq që t’i mbante jashtë qytetit. Kievi ka qenë me më shumë fat se sa Kharkivi lidhur me numrin e bombardimeve dhe shpërthimeve, por situata nuk është e qetë. Sot në mëngjes, në 8 të mëngjesit ne kishim përfundimin e ndalim – qarkullimit dhe unë kisha mundësinë të shkoja në supermarket. Kisha një radhë shumë të gjatë, 300- 400 metra, por kishte persona që na ndihmonin. Furnzimi ishte shumë i mirë. Unë arrita të merrja atë që doja”, tha violinisti.
I pyetur nëse ai vetë ishte pajisur me një armë, si shumë qytetarë të Ukrainës, Tkachenco tha: “Unë nuk kam armë, arma ime është violina ime. Nuk di të mbaj armë, por nëse do të kërkohem do të përgatitem që të jem i dobishëm”.
Violinisti ukrainas u shpreh se në të gjithë vendin, fryma ndaj luftës është e ngjashme.
“Më duhet të them se ne asnjëherë nuk kemi qenë më të bashkuar në historinë tonë. Fryma është e ngjashme. Ne jemi ëvrtet të zemëruar, krenarë, jemi duke mbrojtur tokat tona. Ne e dimë që kemi të drejtë dhe nuk kemi zgjedhje tjetër. Ose duhet të vdesim ose të vazhdojmë të ekzistojmë si një vend demokratik dhe i lirë. Të gjithë vazhdojmë të kontribuojmë për largimin e armikut nga tokat tona”, u shpreh Dima Tkachenco./Opinion.al