Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot në Durrës, ku ka prezantuar kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Ardian Muka.
Berisha komentoi edhe dëshminë e kryeministrit Rama në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku tha se ky i fundit pyeste herë pas here se ku janë 420 mln euro. Sipas Berishës, paratë u ndanë mes ministrave, zyrtarëve, Klodian Zotos dhe Mirel Mertirit.
“Edi Rama para komisionit pyeste: Ku janë 420 mln dhe ku është vjedhja? Vjedhja është monstruoze. Djegësi i Elbasanit, pa asnjë tender, me një procedurë të pashpallur, të pa publikuar kurrkund. Është firmosur kontrata për 22 mln euro me një kompani të sapokrijuar, të krijuar për të vjedhur së bashku dhe bën tenderin me çelësa në dorë, një kompani italiane vjen dhe ndërton djegësin me 12 mln, teprojnë 10 mln.
Nëse ministrat nuk donin të vidhnin, këto para ia jepnin bashkisë së Elbasanit, do të bësh tender për djegëset dhe bënte tenderin të hapur, kompanitë do të vinin. Kompania me çmimin më të ulët do të ndërtohet, nga thesari nuk shkonin më 22 mln, por 10-12 mln sa kushtonte djegësi. Ku shkuan 10 mln? U ndanë midis ministrave, zyrtarëve, e Zotëve e Mërtirëve të tyre.
Në Ballkan ekziston vetëm një djegës, Shqipëria ka tre djegësa. Prandaj edhe varfëria rritet gjithnjë e më shumë”,-tha Berisha.