Ky është momenti kur Astrit Pukameka, i zbathur dhe me kanatiere, pasi plagosi me thikë shoferin e makinës që mori peng në rrugën dytësore në Kavajë, futet në ambientet e karburantit.
45-vjeçari e nisi sagën e krimeve në një rrugë dytësore pranë Kavajës ku kanosi fillimisht dy persona duke i spërkatur me benzinë dhe më pas, u largua drejt një dyqani ku plagosi me thikë shitësin dhe mori peng një kalimtar rasti për t’u arratisur.
Enkeleda Arapi: Pikërisht në këtë pikë karburanti, shtetasi Arjan Shahu, pengu i autorit të ngjarjes së një dite më parë ka devijuar automjetin e tij dje. Në momentin e devijimit autori e ka plagosur 3 herë në shpatull me thikë, i cili më pas ka zbritur nga makina dhe ka terrorizuar përreth 20 minuta punonjësit e karburantit duke i kërcënuar me jetë.
Pukameka u arrestua gjatë tentativës për grabitjen me dhunë të 120 mijë lekëve të xhiros së karburantit, teksa për disa minuta terrorizoi punonjësit duke i kërcënuar se do djegë biznesin me benzinë.
Gjatë marrjes në pyetje, 45-vjeçari ka shfaqur shenja të luhatjes së shëndetit mendor dhe nuk ka qenë i qartë në dëshmi. Grupi i hetimit do të kërkojë një aktekspertim për shëndetin e tij pasi dyshimet se mund të ketë vepruar nën ndikimin e alkoolit u rrëzuan nga testi./Tv Klan