Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit, ka shpërblyer me 10 mijë dollarë ish-punonjësin e Policisë Rrugore Resmi Hasanpapa, i cili ka mbetur i dëmtuar në krye të detyrës.
Në vitin 2004, Resmi Hasanpapa dhe kolegu i tij Allaman Dervishi, janë qëlluar më armë nga dy shtetas. Për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë Allaman Dervishi dhe ka mbetur i dëmtuar në këmbë Resmi Hasanpapa.
Shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Besmir Qibini, ndër të tjera ka theksuar se pavarësisht se Resmi Hasanpapa humbi aftësinë për të ecur, ai nuk e humbi kurrë vullnetin për të dhënë kontributin e tij si punonjës policie. Që prej vitit 2016, ai është integruar duke dhënë kontributin e tij vullnetar pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje, Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit, i dorëzoi atij sot çekun me shumën 10 mijë dollarë.