Mediat greke kanë shkruar ditën e sotme për dorëzimin në polici të 20-vjeçarit Roxhers Demirazi, i cili akuzohet për vrasjen e 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos, pas sherrit mes dy tifozërive të futbollit në Selanik.
Duke folur për protothema.gr, avokati i tij zoti Spyratos shprehet se i kërkuari kishte gjetur strehë në shtëpinë e gjyshes, ndërsa tregon se kishte kuptuar “peshën e çështjes”.
“Më vjen keq që u largova. Dua të kthehem dhe të gjykohem, të them të gjithë të vërtetën për atë që ndodhi në të vërtetë atë natë. “Më vjen shumë keq,”, ka thënë 20-vjeçari i arrestuar, ndërsa fjalët e tij janë riprodhuar përmes avokatit.
Vlen të theksohet se ndaj 20-vjeçarit ditën e djeshme u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërkohë i riu u vetëdorëzua pasditen e kësaj të enjteje në Komisariatin e Korçës./Opinion.al