Pavarësisht thirrjes së SHBA dhe BE, deputeti Edi Paloka deklarohet kundër votimit të zgjatjes së afateve të organeve të vettingut.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Paloka shprehet se kush voton për zgjatjen e afateve, është shërbëtor i kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, ka kapur drejtësinë.
Deputeti thotë se komisioni për vettingun është i përbërë nga “familjarë e të afërt të qeveritarëve, i cili në të gjithë aktivitetin e tij ka marrë vendime politike, duke kthyer në farsë Reformën në Drejtësi”.
Paloka shprehet se votimi në Parlament do të tregojë qartë se cila është opozita e vërtetë dhe kush i shërben qeverisë.
“Në pamundësi për të qenë nesër prezent në seancën parlamentare ku do të diskutohet dhe votohet për zgjatjen e afatit të komisionit të vetingut, po bëj publik qëndrimin tim “KUNDËR“! Kush voton për t’i zgjatur jetën një komisioni të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve, i cili në të gjithë aktivitetin e tij ka marrë vendime politike, duke kthyer në farsë Reformën në Drejtësi, është thjesht shërbëtor i Ramës në kapjen e plotë të drejtësisë! Deputetët që janë në atë Parlament me votën e demokratëve, nuk mund të bëhen pjesë e një procesi të tillë. Nesër do të jemi përpara një fakti tjetër që do të tregojë qartazi se cila është opozita e vërtetë dhe kush është kthyer në bishtin e Ramës më zi se “opozita e kërpëratës dhe Jenisherit”,-shkruan Paloka në “Facebook”./ Opinion.al