Noterja Rezarta Koçi, 40 vjeç, e arrestuar ditën e sotme pas një operacioni policor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, rezulton të jetë noterja që në nëntor të vitit të kaluar i vendosën ekspolziv në makinë.
Nga shpërthimi, i ndodhur në makinën e parkuar në Komunën e Parisit, pati vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Ndërkohë për Rezarta Koçin që prej 2019, janë kryer kallëzime penale për vepra të ndryshme penale. Bëhet fjalë për shpërdorim detyre, mashtrim, fshehje të ardhurash dhe mospagim i taksave dhe tatimeve.
Gjithashtu, më 27 prill 2020 me urdhër të ministrit të Drejtësisë është vendosur fillimi i hetimit disiplinor ndaj noteres me qëllim kontrollin e veprimtarisë së përgjithshme noteriale.
Pas analizës ligjore të akteve dhe veprimeve noteriale, grupi i kontrollit ka vlerësuar se noterja Koçi gjatë veprimtarisë noterial nuk ka respektuar në përgjithësi dhe në mënyrë të përsëritur kërkesat e ligjit për noterinë dhe Koçit i është hequr licenca.
Sot policia njoftoi se 40-vjeçarja gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme”, tha Policia./Opinion.al