Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga projekti i Bazës Ajrore të NATO në Kuçovës.
Teksa poston videon e projektit në rrjetet sociale, Rama theksoi se kjo Bazë Ajrore i jep vendit tonë një peshë të re strategjike në sigurinë evropiane.
“Ja si do të jetë Baza Ajrore e Kuçovës, e cila i jep vendit tonë një peshë të re strategjike në skakierën e sigurisë evropiane”, shkruan Rama.
Ndërsa në videon e publikuar nga Kryeministri Rama thuhet; “nis investimi në Bazën ajrore të Kuçovës. Baza e Kuçovës do të shndërrohet në një bazë taktike të NATO-s. Ky investim rrit rëndësinë strategjike të vendit tonë. Punimet parashikojnë ndërtimin e depove të armatimit, depot e karburantit, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit. Qeveria shqiptare mbulon shpronësimin, rrethimin e bazës, ndërtimin e rrugëve lidhëse si dhe linjat tërësisht të reja të energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë”.
Investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove dhe punimet parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2023.