Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, ka folur sot për skandalin e publikimit të targave të makinave, të rreth 530 mijë qytetarëve shqiptarë.
“A2” shkruan se Gonxhja u shpreh se nuk ka asnjë lloj problemi në sistemin e DPSHTRR apo në protokolle.
Të dhënat e publikuara, tha ai, janë edhe në mbi 13 institucione të tjera.
“E them me siguri të plotë se nga pikëpamja e sigurisë dhe e të gjithë protokolleve, nga pikëpamja e administrimit të sigurisë të sistemit zyrtar që bashkadministrohet, që është në pronësi i AKSHI, nuk ka asnjë lloj cedimi. Në raportet që unë kam, nuk ka asnjë lloj cedimi nga ana e sistemit apo protokolleve, aspekteve administrative. Kjo jo për të thënë se kjo është një gjë normale. Unë mendoj se kjo është bërë për t’i dhënë një efekt më të plotë, që ky skandal është më i plotë. Mendoj se është përdorur pjesa e targave për të krijuar këtë lloj përshtypje. Mendoj se duhet të jenë dy histori të ndryshme. Shikojmë diferenca të mëdha në listën e dalë për targat, nëse kjo listë merret e mirëqenë siç ka dalë, nuk ka një listë të dytë apo të tretë, ka diferenca të mëdha. Arsyeja hetimore që mund të jenë të përfshira institucione apo operatorë, subjekte të treta, nuk e di, por ka diferenca të tilla që minimumi mund të jenë 10 deri tani, që të japin të kuptosh që nuk ka lidhje me regjistrin kombëtar. Është një listë e paplotë. Ka të dhëna unike që lidhen me shasinë e mjetin dhe nuk janë në këtë listë. Këto të dhëna i kanë mbi 13 institucione. Mungesa e mjeteve që ne kemi më shumë sesa kanë dalë, janë ato mjete që nuk kolaudoheshin dhe nuk siguroheshin”,-u shpreh Gonxhja.