Partia Demokratike ka zëvendësuar kryetarët e degëve që u shkarkuan pasi mbështetën ish-kryeministrin, Sali Berisha. Opinion.al mëson se nën drejtimin politik të degëve ku janë shkarkuar kryetarët janë vendosur anëtarë të Kryesisë Qendrore, anëtarë të Këshillit Kombëtar apo anëtarë të Kryesive të Degëve. Në Tiranë, drejtues politikë do të jenë nënkryetarët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Alfred Rushaj.
Gjithashtu mësohet se janë caktuar për drejtimin politik të degëve: Red Varaku në Shijak dhe deputeti Bledion Nallbati në Devoll.
Vendimi i selisë blu vjen pasi Kryesia e PD pak ditë më parë shkarkoi kryetarët e 11 degëve; Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër si dhe një ditë përpara mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha.
Kujtojmë se ditën e nesërme ish-kryeministri Berisha do të organizojë referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës në anëtarësi, ndërkohë që ky i fundit ka thirrur Kuvendin e Partisë ku pritet që të merren disa vendime politike./Opinion.al