Të paktën 83 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra njerëz janë ende të zhdukur pas serisë shkatërruese të tornadove që goditën gjashtë shtete amerikane dje.
Lajmin e bëjnë të ditur shërbimet e shpëtimit, ndërsa mësohet se banesa të tëra janë shkatërruar, veçanërisht në qytetin Mayfield, Kentaki.
“Ne ende nuk e dimë se sa jetë njerëzish kanë humbur apo përmasat e dëmeve”, tha presidenti amerikan Joe Biden në mbrëmje, duke premtuar se shteti federal do të bënte “çdo gjë të mundshme për të ndihmuar”.
Ndërkohë, me gjashtë vdekje të konfirmuara, është ende i pasigurt numri i personave të bllokuar dhe viktimave në rrënojat e magazinës së Amazon në Illinois të shkatërruar nga kalimi i një prej tornadove.
Jeff Bezos tha se ishte ‘zemërthyer’ për viktimat: “Lajmi nga Edwardsville është tragjik,” tha shefi i Amazon në Twitter. “Ne jemi të lënduar për shkak të humbjes së shokëve tanë të skuadrës. Mendimet dhe lutjet shkojnë për familjen dhe të dashurit e tyre,” shtoi Bezos.
Afërsisht 100 punëtorë në magazinën e Amazon në Edwardsville, Illinois që punonin jashtë orarit për Krishtlindje besohet se ishin bllokuar brenda kur ajo u shemb ndërsa tornado kaloi. Deri më tani të paktën 45 persona janë nxjerrë të gjallë nga magazina e shembur, njëri prej tyre është plagosur rëndë dhe është transportuar me helikopter në spital./Opinion.al