I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të takohet me personalitete të politikës shqiptare.
Kjo vizitë vjen dy ditë para Kuvendit të PD të thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha ndërsa sipas axhendës takimin e parë Escobar do ta zhvillojë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha rreth orës 11:00.
Më pas rreth orës 15:00 Escobar do të ketë një takim me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe në orën 17:00, zyrtari amerikan do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, pa praninë e mediave.
Që prej marrjes së këtij posti, Escobar si një njohës i mirë i realitetit në Ballkan, zhvilloi vizitat e tij të para në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi.
“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhej në një njoftim të ambasadës amerikane.
Ardhja e diplomatit amerikan vjen në një moment, kur Partia Demokratike ndodhet në një krizë të brendshme që pas shpalljes “non grata” nga SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar i PD.
Ndërkohë vetëm dy ditë na ndajnë nga 11 Dhjetori, Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Berisha me firmat e më shumë se 4200 delegatëve demokratë./Opinion.al