Gjykata e Lartë vendosi se Lulzim Berisha, ish-drejtues i Bandës së Durrësit, duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin edhe për 5 vite. Berisha aktualisht ndodhet në arrati.
Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, që kishte vendosur lirimin nga qelia të Berishës, dhe vuajtjen e pjesës tjetër të dënimit me shërbim prove.
Berisha duhet të kryejë edhe 5 vite dënim të mbetur, pasi është dënuar si ish-drejtues i Bandës së Durrësit. Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, dënimi u ul në 25 vite burg.
Vendimi është marrë nga Shkëlzen Selimi, Andi Çeliku dhe Artan Zeneli. Admir Thanza dhe Ardian Dvorani kanë votuar kundra heqjes së dënimit me burgim të përjetshëm. Në vijim, gjyqtarët Tritan Hamitaj, Shpëtime Pitaku, Fejzo Hysi dhe Eda Kaja, në periudha të ndryshime i kishin ulur dënimin Lulzim Berishës.
Dhjetor 2016, gjyqtarët e Apelit në Durrës Arben Vrioni, Anita Mici dhe Petrit Çeno liruan nga burgu ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha kur këtij të fundit i kishin mbetur edhe 5 vite dënim.