Duke publikuar një foto të aktit të Pavarësisë, historiani Kastriot Dervishi ngre pikëpyetje edhe lidhur me vendodhjen e këtij dokumenti. Përmes një publikimi në Facebook, ai shprehet se deri në vitin 1968 dokumenti ekzistonte, ndërsa shton se aludimet që ka qenë jashtë vendit nuk bazohen në të vërteta.
Statusi i plotë
Dokumenti i pavarësisë për herë të parë u ekspozua për publikun në nëntor 1937 me rastin e 25 vjetorit të vetëqeverimit. Me këtë rast u fotografua nga Marubi. Revista kulturore e përmuajshme “Përpjekja shqiptare”, nr.13, datë 13.1.1938, faqe 52 në kapitullin “jeta dhe librat”, në rubrikën përkujtimor, te botimet shqipe, jep edhe njoftimin mbi dokumentin e Pavarësisë, duke sqaruar personin që e posedonte dhe origjinalitetin e tij. “Ky dokument tepër i vlefshëm për historinë politike të Shqipërisë së re është ruajtur gjer më sot për hir të kujdesjes së z.Lef Nosi, një nga patriotët e orës së parë, anëtar i kongresit të Vlorës dhe ministër në qeverinë e përkohshme që u formua me vendimin e këtij kongresi”. Për arsye sigurie, Lefi, një grup dokumentesh të rëndësishme i vendosi në një nga kasafortat e Bankës së Shqipërisë, çelësin e së cilës ia dha Aleksandër Xhuvanit. Ndodhja e dokumenteve të rëndësishme në Bankë, pohohet edhe në hetuesinë e nipit të Lefit, dr.Stiliano Nosit. Kasaforta është hapur në vitin 1948 nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Ishin plot 2 arka me dokumente. Është bërë një procesverbal i përgjithshëm i dokumenteve, në të cilin spikasin dokumente që i përkisnin viteve 1912-1915.
Pavarësisht problemeve të shumta që kishin arkivat në atë kohë, me shkatërrime masive dokumentesh, humbje, mungesa godinash, personeli, etj, provohet ekzistenca e dokumentit të pavarësisë në vitin 1962 në një ekspozitë me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë. Deri në vitin 1968, kur mori drejtimin nga familja Hoxha, dokumenti ekzistonte. Aludimet se ka qenë jashtë Shqipërisë, nuk i përgjigjen asnjë të vërtete.