Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, i cili shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se pas tërmetit Shqipëria është ngritur mëe e fortë, teksa shpreh keqardhje për qytetarët që humbën jetën dy vite më parë.
Po ashtu, kreu i qeverisë falenderon të gjithë ata që i erdhën në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti .
Postimi i Kryeministrit
Mirëmëngjes
Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa drojë se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj.
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur.