Janë izoluar dhe tre të burgosur të tjerë në regjimin “41bis”, duke e çuar në 7 numrin e të dënuarve që izolohen në të tilla kushte.
Mësohet se të burgosurit e izoluar janë Redjan Rraja, Fatmir Pjetri dhe Aleksandër Llanaj. Izolimi i tyre u bë nga Ministria e Drejtësisë pas kërkesës që kishte bërë SPAK.
Redjan Rraja akuzohet nga SPAK si një nga personat për tentativën e vrasjes së prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj në mbikalimin e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës më 1 Nëntor 2019.
Fatmir Pjetri është i dënuar me 30 vite burgim si pjesë e bandës së babagjyshëve grabitës dhe ka tentuar arratisjen pak muaj më parë së bashku me Arbër Çekajn, të akuzuar për 600 kg kokainë.
Ndërsa Aleksandër Llanaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 3-fishtë më 7 Prill 2015 në Vlorë.
Me izolimin në regjimin “41bis”, këta të burgosur nuk do të kenë takime dhe biseda me persona të tjerë apo edhe me të dënuarit e tjerë në këto burgje.