Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili është shprehur se PD i ofroi 15 mandate të sigurta LSI nëse ata do të hynin në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryemadhi hedh poshtë deklaratën e Bardhit të cilën e cilëson si një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor.
“Një pyetje për të gjithë anëtarët e kryesisë së PD: Kur është mbledhur kryesia e PD për t’i propozuar LSI listën e përbashkët? Në cilën ditë dhe orë? Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, shkruan Kryemadhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaroi dje në një emision televiziv se PD i ofroi LSI-së 15 mandate nëse do hynin në zgjedhjet e 25 prillit në një listë të vetme. Sipas tij, LSI pretendonte se mund të fitonte e vetme 34 mandate./Opinion.al