9 zyrtarë të bashkisë Tropojë, janë kallëzuar në SPAK nga ana e KLSH për shkelje të barazisë në tendera. Përmes një njoftimi, bëhet me dije se KLSH ka konstatuar nga auditimi shkelje, të cilat përbëjnë konsumim të veprës penale dhe që lidhen me procedurat e tenderimit për shkollën “Asim Vokshi” dhe për rikonstruksionin e 5 segmenteve rrugore në disa fshatra të zonës.
Njoftimi i plotë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të angazhimit në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, ka konstatuar gjatë veprimtarisë së tij audituese shkelje të cilat përbëjnë konsumim të elementeve të veprës penale nga nëntë funksionarë të Bashkisë Tropojë.
Nga auditimi “Financiar dhe i Përputhshmërisë” i ushtruar në Bashkinë Tropojë, KLSH ka konstatuar: – Shkelje të barazisë në tendera, nga anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt: “Shkolla Asim Vokshi- palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin “Asim Vokshi”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK tre funksionarë të Bashkisë Tropojë, anëtarë të KVO-së, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, si dhe
-Veprime apo mosveprime të gjashtë funksionarëve të Bashkisë Tropojë, anëtarë të njësisë se prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë” të cilat në tërësinë e tyre përmbajnë elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Në lidhje me shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë kallëzim penal për personat e sipërcituar.