Presidenti Ilir Meta i akordoi këtë të shtunë këngëtares shqiptare Eranda Libohova titullin “Mjeshtër i madh”.
Këngëtarja është vlerësuar më këtë titull me motivacionin: “Për kontributin e saj të vyer 35-vjeçar në muzikën shqiptare, si dhe për talentin e rrallë dhe interpretimin e veçantë të thuajse të gjitha zhanreve dhe rrymave muzikore, veçanërisht të qindra këngëve popullore dhe tradicionale shqiptare nga veriu e deri në jug. Për kontributin e veçantë në përçimin e vlerave më të mira kombëtare, artistike e njerëzore, si një artiste me profil të konsoliduar dhe një nga zërat më të çmuar të muzikës sonë bashkëkohore.”
Në ceremoninë e organizuar Presidenti i Republikës u shpreh: Jam i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë të dashur të publikut tonë dhe një artiste të shquar, këngëtaren Eranda Libohova.
Plot 35 vjet karrierë muzikore, dëshmojnë për një artiste të formuar, ku spikat talenti i lindur dhe profesionistja e vërtetë, si një nga zërat më të çmuar të muzikës tonë. Për të gjithë kontributin e saj në evidentimin e vlerave më të mira artistike kombëtare, kam privilegjin të vlerësoj, në praninë tuaj këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”./Opinion.al