Derbi mes Tiranës dhe Partizanit u shoqërua me incidente. Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë sot vendimin që të dënojë të dy klubet për sjelljen e gabuar të tifozëve.
Në një njoftim për mediat, Komisioni i Disiplinës bën me dije se Tirana ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, për sjelljen e gabuar të spektatorëve dhe hedhjen e sendeve në fushë.
Lidhur me këto shkelje, klubi bardheblu është dënuar me gjobë në masën 200.000 Lekë. Po ashtu klubi urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania”.
Nga ana tjetër dhe Partizani për sjelljen e gabuar të tifozëve është dënuar me gjobë në masën 200.000 Lekë dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë.
Po ashtu klubi i kuq urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania”. Pa dënim nuk ka shpëtuar dhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, dhe tashmë do të mungojë në stolin e skuadrës për dy ndeshjet e ardhshme.