Ndihma humanitare, migracioni, transporti ajror dhe tregtia do të jenë tema të diskutimit të një delegacioni të talibanëve me zyrtarë të Turqisë.
Ministri i Jashtëm në detyrë i qeverisë së udhëhequr nga talibanët në Afganistan, Amir Khan Muttaqi do të takojë më 14 tetor ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në Ankara.
Këtë javë talibanët mbajtën një sërë takimesh me Shtetet e Bashkuara, dhjetë vende evropiane dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në Doha, kryeqytetin e Katarit.
Gjatë një samiti të G20-ës, presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbajë të hapura kanalet e dialogut me talibanët.
Erdogan tha se Turqia, e cila tashmë strehon më shumë se 3.6 milionë sirianë, nuk mund të përballojë një fluks emigrantësh nga Afganistani, duke paralajmëruar se kombet evropiane gjithashtu do të preken nga një valë e re emigrantësh.
Talibanët e rrëzuan qeverinë afgane të mbështetur nga Perëndimi në gusht pas një ofensivë të shpejt në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta, derisa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqeshin duke i dhënë fund konfliktit dy-dekadësh.
Edhe pas tërheqjes së vendeve perëndimore nga Afganistani dhe evakuimit të personelit të tyre, Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, e mbajti të hapur ambasadën e saj në Kabul.
Ankaraja ka bashkëpunuar me Katarin për të ndihmuar në operimin e aeroportit të Kabulit dhe rihapjen e tij për udhëtime ndërkombëtare.
Ekonomia e Afganistanit është buzë kolapsit pasi fondet e huaja janë ndërprerë.
Çmimet e ushqimeve dhe papunësia ka shënuar rritje. Qeveria e talibanëve nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar pasi ndaj tyre janë vënë kushte që përfshijnë respektimin e të drejtave të njeriut.
Vizita e delegacionit taliban në Turqi vjen një ditë pasi ministri Çavusoglu u tha gazetarëve se ai dhe ministrat nga vendet e tjera planifikojnë të vizitojnë Kabulin për bisedime me talibanët.