Kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Basha kanë replikuar sot në kuvend, kryesisht lidhur me situatën energjetike dhe ekonomike në vend. Replikave dhe debatit nuk i ka munguar as ironia e të dy palëve. Ndërsa nuk ka lënë pa e përmendur raportin e Bashës me Berishën, Kryeministri i ka kërkuar Bashës të flasë me argumenta dhe fakte, duke u shprehur se ndoshta kështu Basha do të jetë gati për bashkëqeverisje.
“Unë kam mësuar të lexoj shifrat dhe shoh atje, kam këtu te lëkura e dorës, qindra mijëra duar shqiptarësh, të gjitha moshave, e në këtë pikë s’më jep askush leksione. Zero. Por, t’i thuash shqiptarëve që të gjithë ju duhet të paguheni më pak, e të gjithë duhet të mbështeteni nga shteti, kjo do të thotë që s’je parti e qendrës së djathtë, por se ke marr vesh që ka ndryshuar sistemi. Ti i ke gjet gjërat gati vlla, kështu je mësuar. Ti duhet të tregosh se çfarë bëre, e mos na thuaj që futa Shqipërinë në NATO, e hoqa vizat. Ti flet për milionat me lehtësi të madhe. Nëse do debat idesh, debat argumentash, debat opinionesh, interpretimesh faktesh, bëje, e nëse vjen këtu e i jep gojës si ai tjetri, mos u anko që të vjen foltorja në bisedë. Nëse vjen këtu e lëshon të shara, e akoma se din nëse je në gjumë apo realitet. Dil këtu, thuaj ato që ke për të thënë dhe mos u fut në garë se kush shanë më shumë. Për të shara, nuk e konkurron njeri ustain, është sharësi dhe shpifësi më i madh që ka jetuar në hapësirën shqiptare. Bëj debat, e mos hy në historira si klinika, sepse ti je shumë larg, ai është origjinali dhe ti kopja. Kur të kalosh nga kopja te origjinali, atëherë kushedi ndodh dhe bëhesh gati për bashkëqeverisje”, tha Rama./Opinion.al