Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë, për të përfunduar hetimet për vdekjen e 35-vjeçarit Konstantinos Katsifas, më 28 tetor të vitit 2018 në Bularat të Gjirokastrës. Në të njëjtën kohë, u kërkua të vazhdohet hetimi, duke kryer veprime hetimore shtesë në përputhje me dispozitat ligjore.
Sipas medias greke “Protothema” raporti përfundimtar pritet të dalë nga mesi i dhjetorit, ku do të sqarojë nëse bëhet fjalë për vrasje apo për vetëvrasje.
Më tej, ‘Protothema’ ka publikuar gjithashtu prononcimin e njërit prej familjarëve të Katsifas, i cili akuzon autoritetet se që nga viti i kaluar janë përpjekur për ta bërë të duket si vetëvrasje.
“Ata nuk mund ta bëjnë atë ose ta vërtetojnë atë. Më 12/4/2021 Prokurori i Gjirokastrës foli për vetëvrasje, as familja as kryetari i gjykatës nuk e pranuan atë. Që në momentin e parë kërkojmë publikimin e videos së RENEA-s. Dhe nëse një në një milion shqiptarë kanë të drejtë, ne do të kërkojmë falje. Por duhet të bëjnë publike. Nuk është e mundur të kryesh vetëvrasje me dy plumba në zemër. Është vrasje. Ai as vrapoi as nuk u largua, ishte i paarmatosur. Ai u vra nga dhjetë metra larg. Nuk ka krim më të rëndë se ky “, ka deklaruar Vangelis Sakellarakis , dhëndri i Konstantinos Katsifas.
Ndërkohë më tej bëhet me dije nga burimet diplomatike se rasti Katsifa po monitorohet nga afër nga shërbimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës Greke në Tiranë, me urdhër të ministrit Nikos Dendias.
Familja e 35-vjeçarit kërkon mbështetjen e Greqisë për të mos mbuluar rastin, pasi viktima ishte gjithashtu një shtetas grek dhe humbi jetën duke mbrojtur të drejtën për të ngritur flamurin grek në një zonë që Shqipëria njihet zyrtarisht si “pakicë etnike”./Opinion.al