Aktivistja Evi Kokalari sërish në mbështetje të ish-Kryeministrit Berisha tha në takimin e Durrësit, se Basha ka vendosur të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar me qëllim për të “shpëtuar” veten. Sipas saj, në këmbim Basha ka arritur të sigurojë të drejtën për vizë amerikane, ndërsa më herët kjo e drejtë i ishte hequr.
Sipas Kokalarit ndaj Bashës SHBA ka vendosur heqjen e të drejtës së vizës amerikane, pas historisë së lobimit me fonde ruse dhe dosjes së hapur lidhur me këtë çështje.
“Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdorë një kompani me origjinë ruse, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë. Fillimisht kjo nuk doli, por kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar, Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres”, tha Kokalari./Opinion.al