Ashensori që u shkëput në një nga pallatet në zonën e Astirit ku mbetën të plagosura 2 gra, nuk ka qenë i regjistruar dhe për pasojë nuk ishte inspektuar. Kështu është shprehur Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial.
“Sipas Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar Personi Përgjegjës i produkt/instalimit nuk e ka bere regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku theksohet se ky ashensor nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar siç parashikon ligji.
ISHMT thekson se banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e këtij të fundit që të kontraktojë një organ të miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve.
“Nga të dhenat e ISHMT për sa i përket raportimeve të Trupave të Autorizuara dhe të dhënave të tjera të siguruara nga ISHMT, rezulton se ashensori i cili ka pësuar “defekt teknik” duke shkaktuar aksident nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar siç parashikon Ligji 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore”, i ndryshuar.
Në zbatim të legjislacionit për administrimin e ambienteve të përbashkëta, banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve. Strukturat e ISHMT ne momentin e marrjes se njoftimit janë angazhuar maksimalisht ne bashkëpunim dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese për zbardhjen e kësaj çështje”, deklaron ISHMT.
Si pasojë e rrëzimit të ashensorit të pallatit mbetën të plagosura dy gra.