26 qytetarë kanë humbur jetën nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar numrin në total të viktimave 6.013.
Nga kryerja e 5.865 testeve, u konstatuan 722 raste të reja me COVID-19, teksa numri i përgjithshëm i rasteve aktive ka arritur në 14.998.
Infektimet vijnë tre ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor me prani fizike, por ministrja e Arsimit, Milla Carovska ka thënë se infektimeve nuk kanë ndodhur në shkolla, por se nxënësit kanë pasur COVID-19 para se të nisnin vitin e ri shkollor.
“Shërbimet epidemiologjike dhe Inspektorati Shëndetësor kanë dalë në terren dhe po veprojnë në bazë të protokolleve. Por, ky numër nuk është i lartë dhe përbënë vetëm se 0.01 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve në shtet. Shpresoj që kjo përqindje të mbetet e njëjtë. Nuk kemi nxënës të infektuar në shkolla dhe ende nuk kemi përhapje të virusit brenda hapësirave shkollore”, ka deklaruar Carovska.
Ajo i ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të tyre që të respektojnë masat, të cilat jo vetëm që janë në mirën e tyre, për ruajtjen e shëndetit, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor me prani fizike.