Puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të nisë në muajin nëntor. Lajmin e bëri me dije ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë mbledhjes Speciale të 70-të e Drejtorëve të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC), ku morën pjesë 44 shteteve anëtare dhe disa organizatave të rëndësishme.
Balluku deklaroi se përveç aviacionit dhe transportit të pasagjerëve, ky aeroport do të mbulojë edhe shërbimet kargo dhe ato të mirëmbajtjes së avionëve.
“Besoj se kush punon në aviacion nuk punon vetëm për një pagë. Në këtë sallë na bashkon pasioni dhe dashuria për aviacionin. Fakti që hapëm aeroportin e Kukësit. Ne ndërkohë që pandemia nuk kishte fund kishim nisur një garë ndërkombëtare për aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri, atë të Vlorës, porta për në jug të vendit. Pas shumë studimesh vendosëm të hapim këtë garë për të ngritur aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri që nuk do të mbulojë vetëm fushën e aviacionit dhe transportit të pasagjerëve. Por edhe shërbimet kargo dhe ato të mirëmbajtjes së avionëve. Duke i dhënë këtij sektori një hov të ri. Pavarësisht se gara u shty disa herë për shkak të pamundësisë për të garuar. Kompania fituese ka deklaruar se në muajin nëntor do të fillojnë punimet në terren. Pra fillon kantieri nga ndërtimi”., u shpreh Balluku.