19 gra dhe fëmijë do të riatdhesohen nesër nga kampet e ISIS në Siri. Marc Ghorayeb, konsulli i Shqipërisë në Liban, ndërsa ka folur lidhur me detajet e operacionit, ka pohuar ndër të tjera se mes të mbeturve në kamp ka nga ata që nuk duan të khehen. Ai foli për rastin e Eva Dumanit, motra e Endri Dumanit që u kthye në Tiranë disa muaj më parë së bashku me disa familje të tjera shqiptare.
“Unë dua t’u them familjeve të atyre që nuk janë nxjerrë ende nga kampet e Sirisë se unë jam këtu për ti ndihmuar. E vlerësoj gadishmërinë e tyre për të pranuar të afërmit që zgjodhën të luftojnë e jetojnë në shtetin e ISIS. Shumica e atyre që kemi takuar në kamp ishin të kënaqur me situatën ku janë dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri. E them ndershmërisht. Nuk duan të kthehen. Një nga ata është edhe Eva Dumani. Dua ti them dajës së saj, se më vjen keq pasi ju premtova ta sjell siç bëra me Endrin që ishte e vështirë. Por shumë shpejt do të tregoj komunikimet që ne kemi pasur me Evën e cila ka bllokuar gjithmonë përpjekjet tona duke ma thënë se është mirë atje ku është dhe nuk do të kthehet. Më vjen keq ta them por ne po shpëtojmë shumë gra dhe fëmijë që duan të kthehen. Ne do të kemi një operacion të katërt dhe do të përpiqemi përsëri ta marrim edhe Evën. Unë shpresoj shumë”, deklaroi Marc Ghorayeb në një intervistë për Top Channel.
Ai pohoi se ky është operacioni më i vështirë i ndërmarrë në këtë drejtim, edhe për shkak të numrit të lartë të personave që riatdhesohen.
“Vështirësia më e madhe ka të bëjë me anën logjistike e më konkretisht transportin kjo si pasojë e konfliktit të brendshëm në territorin sirian. Në një situatë të tillë ju duhet të gjeni balancën dhe për këtë është kujdesur gjenerali Abas Ibrahimi cili ishte balancuesi dhe arsyetuesi i këtij rasti. Është operacioni më i vështirë dhe nga ana tjetër më i forti ndërmarrë deri më tani. Është e vështirë”, tha Ghorayeb./Opinion.al