Programet e vaksinimit kundër disa prej sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë kanë shpëtuar miliona jetë gjatë 20 viteve të fundit, thonë studiuesit, por përparimi i vazhdueshëm po kërcënohet nga pandemia COVID-19. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell në Londër njofton se një iniciativë emergjente e vaksinimit filloi në Republikën Demokratike të Kongos pas një shpërthimi të rasteve të fruthit në 2020.
Sipas një studimi, përpjekjet si kjo kanë shpëtuar miliona jetë. Studiuesit analizuan programet e vaksinimit gjatë dy dekadave të fundit duke u përqendruar në 10 sëmundje infektive, në 112 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ata zbuluan se rreth 50 milionë njerëz, kryesisht fëmijë, janë shpëtuar nga vaksinat.
Në mesin e sëmundjeve të studiuara ishin fruthi, hepatiti B, virusi HPV dhe ethet e verdha.
Studimi u drejtua nga Konsorciumi i Modelimit të Ndikimit të Vaksinave, i financuar nga Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (Gavi) dhe Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.
“Nëse do të vazhdonim me vaksinimet, bazuar në parashikimet tona, pra përtej vitit 2019, do të shmangnim 47 milionë vdekje të tjera. Kjo është në shifër e lartë. Dhe ajo që ne donim të tregonim në këtë studim është se ky parashikim u bë para pandemisë së koronavirusit. Ne donim të theksonim këto efekte afatgjata, këto përfitime afatgjata të vaksinimit në të ardhmen”, thotë Dr. Katy Gaythorpe, bashkëautore e studimit nga Kolegji Imperiali i Londrës.
Programet e imunizimit kanë shtuar përfitimet përtej parandalimit të sëmundjeve të caktuara.
“Për shembull, nëse njerëzit nuk po sëmuren nga sëmundje që parandalohen nga vaksina, atëherë kjo pakëson ngarkesën ndaj kujdesit shëndetësor të lidhura me këto infeksione, duke krijuar më shumë mundësi për trajtimin e njerëzve për sëmundje të tjera”, thotë Dr. Gaythorpe.
Por studiuesit paralajmërojnë se pandemia e Covid -19 ka dëmtuar programet e vaksinimit dhe mund të çojë në një rënie të nivelit të imunizimit.
“Nuk po përballemi vetëm me mbingarkimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga trajtimi i njerëzve të infektuar me Covid-19, por edhe me vendimet personale të njerëzve për të shtyrë bërjen e vaksinave për sëmundje të tjera nga frika e infektimit të mundshëm me Covid-19”, thotë Dr. Gaythorpe.
Në muajin prill, Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi nismën ‘Axhenda e Imunizimit 2030’, për të kthyer në rrugën e duhur programet e vaksinimit dhe për të rritur numrin e njerëzve të imunizuar.
“Nisma synon uljen me 50 për qind të fëmijëve që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinave jetike, si dhe futjen e rreth 500 vaksinave të tjera, disa për herë parë, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thotë Kate O’Brien, Shefe e Departamentit të Vaksinave në OBSH.
Shkencëtarët thonë se numri i madh i jetëve të shpëtuara demonstron përparimin e madh të mjekësisë moderne dhe rëndësinë e ruajtjes së programeve të tjera të vaksinimit, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia e Covid-19./ VOA