Autoritetet afgane kanë vendosur orë policore në pjesën më të madhe të shtetit, me qëllim të ndalimit të ofensivës ushtarake të talibanëve.
Vendimi ka ardhur pasi talibanët kanë pushtuar një mori distriktesh dhe zonash kyçe të shtetit, prej kur ka nisur tërheqja e forcave ndërkombëtare nga Afganistani, më 1 maj të këtij viti.
Ministria e Brendshme e këtij shteti ka thënë më 24 korrik, se ka vendosur masën e orës policore në 31 nga 34 provincat e Afganistanit “për të ndalur dhunën dhe për të kufizuar infiltrimin e talibanëve” në territoret e kontrolluara nga Qeveria.
Tri provincat e përjashtuara nga ora policore janë Kabuli, provinca Panjshir dhe Nangarhar.
Ahmad Zia, zëdhënës në Ministrinë e Brendshme afgane, u ka thënë gazetarëve se ora policore do të zbatohet nga 22:00 deri në 4:00 të mëngjesit.
Teksa ushtria amerikane është duke i dhënë fund misionit në Afganistan më 31 korrik, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se puna e parë e forcave afgane të sigurisë është që të sigurohen se po ngadalësojnë momentumin e talibanëve, para se të tentojnë të fitojnë kontrollin e territoreve.
Austin ka thënë se beson që afganët kanë kapacitet për të bërë përparim “mirëpo do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, u kanë bërë thirrje talibanëve, më 23 korrik, që t’i japin fund ofensivës ushtarake në Afganistan, dhe të angazhohen në bisedime për paqe.
Bisedimet e brendshme në Afghanistan, kanë shënuar pak përparim, për shkak të dhunës së talibanëve, mosbesimit të thellë, dhe mospajtimeve në mes të përfaqësuesve talibanë dhe atyre të Qeverisë afgane, në një mori çështjesh.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL