Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një draft të ri dhe ka nxjerrë për konsultim publik rregulloren e sigurimit të detyrueshëm për automjetet në raste aksidentesh.
Në këtë draft-propozim, ka ndryshuar edhe përllogaritja e dëmeve që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm. Sipas këtyre ndryshimeve, është rritur shkalla e dëmshpërblimit në raste aksidentesh.
Në rregullore janë reflektuar gjithashtu disa nga ndryshimet kryesore të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që kanë të bëjnë me rritjen e limiteve të përgjegjësisë për pagesën e dëmeve, si edhe mundësinë e të siguruarit për t’iu drejtuar direkt shoqërisë së tij të sigurimit, në rastet kur pëson aksident nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar.
Në rast aksidenti me pasojë humbje jete, dëmi pasuror përllogaritet si produkt i të ardhurave vjetore neto me koeficientin e shumës së kapitalizuar dhe moshës së daljes në pension.
Risitë kryesore të rregullores janë:
-Ka ndryshuar kategorizimi i personave të dëmtuar, për efekt të llogaritjes së koeficientit të moshës së daljes në pension, duke rritur vlerën e dëmit pasuror;
-Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin pasuror ndaj të miturit;
-Është rritur masa e mbulimit të shpenzimeve funerale;
-Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror në rastet e paaftësisë së përhershme, i cili përfshin dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial;
-Është përmirësuar dhe zgjeruar metodologjia e përllogaritjes së dëmit jopasuror ku përfshihet dëmi biologjik, i ndarë sipas grupmoshave dhe shkallës së paaftësisë. Gjithashtu edhe dëmi moral dhe ekzistencial përllogaritet në funksion të shkallës së paaftësisë për punë;
-Llogaritja e dëmit jopasuror është parashikuar e ndarë për çdo figurë dëmi si dhe e drejta për ta përfituar është individuale dhe nuk varet nga kërkesat e të dëmtuarve/përfituesve të tjerë për dëme nga kjo ngjarje. Në këtë mënyrë rregullorja synon t’i individualizojë përfitimet për secilin të dëmtuar dhe familjarët e tij.
-Janë saktësuar afatet e trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, si edhe është qartësuar procedura për kërkesën e shoqërisë së sigurimit për plotësim dokumentacioni;
-Është parashikuar procedura për rastet e dëmeve që trajtohen me Raportin Evropian të Aksidenteve.