Numri i të vdekurve nga moti i keq në Gjermani ka arritur në të paktën 156 persona sikurse njoftoi policia këtë mëngjes. Në Belgjikë, ndërkohë, vdekjet mbetën të pandryshuara në 27, duke kapur një total prej 183 viktimash në Evropë.
“Imazhe drithëruese”. Kështu e cilësoi kancelarja Angela Merkel situatën që pa në Adenau.
“Ne jemi pranë jush, si shtet dhe si rajon”, tha Merkel duke iu drejtuar komunitetit dhe institucioneve vendore, ndërsa theksoi se do të punojnë së bashku. Kancelarja tha se ajo shkoi në vendin e ngjarjes për të marrë një ide të qartë të “imazheve surrealiste dhe fantazmë” të vendeve të prekura nga katastrofa. “Gjuha gjermane nuk njeh fjalë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur këtu,” shtoi ajo.
Foto: Kancelarja Merkel ne vizizten e saj ne zonat e permbytura
“Na duhet një politikë që merr parasysh natyrën dhe klimën më shumë sesa kemi bërë në vitet e fundit. Ne e shohim se sa e dhunshme mund të jetë natyra. Ne do t’i përgjigjemi kësaj dhune të natyrës, në një periudhë afatshkurtër, por edhe në planin afatmesëm dhe të gjatë,” shpjegoi Merkel.
“Falë Zotit vendi ynë mund të përballet financiarisht me atë që ka ndodhur dhe ne do të përgjigjemi shumë shpejt” tha Merkel, duke folur në Adenau një nga rajonet gjermane më të prekura nga përmbytjet.
Kancelarja u kthye dje nga një vizitë shtetërore në SHBA, nga ku ndoqi zhvillimet e katastrofës. Ajo kishte dërguar një mesazh ngushëllimi nga Uashingtoni, duke i quajtur ngjarjet e ditëve të fundit një “katastrofë”./Opinion.al