Gjykata ka dhënë këtë të shtunë masën e sigurisë për tre vëllezërit Myslimi, të cilët dhunuan dy ditë më parë gjyqtarin në Vlorë pas një vendimi për çështje pronësie.
Fatos Myslimit iu dha masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa dy të tjerëve, Elmazit dhe Myslimit iu dha masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Sikurse shfaqet edhe në pamje, dalja e tyre nga gjykata u shoqërua me të bërtitura dhe ndërhyrje të familjarëve, të cilët tentuan të hapnin edhe derën e makinës së policisë teksa thërrisnin se në vend të tyre duhej të ishte gjyqtari dhe jo ata.
Ngjarja ndodhi në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku pas një vendimi të dhënë, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç është dhunuar nga të paditurit.
Tre vëllezërit kanë hedhur akuza në drejtim të gjykatësit duke pretenduar se po i grabit pronën dhe se sipas tyre vendimi i gjykatësit është dhënë kundër tyre. Po ashtu ata akuzojnë gjyqëtarin se i shet gjyqet që zhvillon.
Çështja kishte të bënte me një objekt që thuhet se është marrë nga një firmë ndërtimi për të bërë pallat.