Kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar të selisë blu tha se Partia Demokratike do të luftojë kundër krimit të organizuar.
Sipas Bashës PD nuk e vesh kriminelin me kostum për ta futur në parlament duke akuzuar kështu se PS ka futur në parlament persona me rekorde kriminale.
“Ne luftuam dhe do të luftojmë kundër krimit të organizuar. Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki. Ne e dimë që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike shtrihet në të gjithë pushtetin”, tha Basha.
Gjithashtu kryedemokrati u shpreh se Shqipëria është e para në Europë për sa i përket korrupsionit. Sipas tij vendit i janë shkaktuar miliarda euro dëme ekonomike sipas 7 raporteve të KLSH.
“Kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.
Nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën.
Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilacet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër”, tha më tej Basha./Opinion.al