Policia ka arrestuar ish-drejtori n e Postës së Korçës, Valter Gora, pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën. Në kuadër të operacionit anti-korrupsion janë kryer dhe arrestime të tjera.
Gora ka shpërdoruar detyrën duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, Pogradec, vihen në pranga ish-drejtori dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës Korçë.
Ndërkohë, janë ekzekutohet masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për 7 punonjës të tjerë të Postës dhe shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas.
Ka rënë në pranga dhe A. B., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë ish-specialist sigurie pranë këtij institucioni) për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim të datës 06.07.2021, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
Në kërkim është shpallur shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec dhe u ekzekutua masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për shtetasit e mëposhtëm:
A.K., 59 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë përgjegjëse e shërbimeve pranë Postës Shqiptare Dega Korçë), K. M., 28 vjeçe, banuese në Korçë me detyrë llogaritare e parë, A. K., 53 vjeçe, banuese në Korçë me detyrë specialiste shërbimesh, B. P., 66 vjeç, banues në Korçë me detyrë agjent kontrolli, E. G., 34 vjeçe, banuese në Pogradec me detyrë përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Pogradec, B. Ç., 45 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq me detyrë punonjës shërbimesh pranë Postës Shqiptare Dega Maliq, E. M., 32 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë.
Duke ushtruar detyrat e tyre respektive pranë Postës Shqiptare në filialet Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori V. G., ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte. Në vijim të veprimeve procedurale është provuar se shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.
Nga ana e Policisë, po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit S. M./ Opinion.al