Rreth 60 persona kanë vdekur në Irak, pas një shpërthimi zjarri në një repart spitali për pacientë me koronavirus.
Bëhet me dije nga mediat e huaja se shpërthimi në spitalin Al-Huseein, në qytetin jugor Nasiriya, ka arritur të vihet nën kontroll në orët e vona të së hënës.
Deri më tani shkaku i zjarrit nuk dihet, mirëpo mendohet se ka nisur pas shpërthimit të një cilindri me oksigjen. Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhemi, ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të spitalit.
Familjarët e pacientëve kanë protestuar jashtë ndërtesës. Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për përleshje me policinë dhe se dy makina policore janë përfshirë nga flakët.
Mësohet se Departamenti i ri ka pasur hapësirë për 70 shtretër dhe është ndërtuar vetëm tre muaj më parë, kanë thënë zyrtarë shëndetësorë për agjencinë e lajmeve Associated Press.