Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mbrëmjen e së dielës në brigjet e Azerbajxhanit, në detin Kaspik.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 me atë lokale, ndërsa shkaqet e shpërthimit janë ende të paqarta. Flakë të mëdha që ngriheshin drejt qiellit u filmuan nga njerëzit me dhjetëra kilometra larg vendngjarjes.
Fillimisht, mediat lokale raportuan për shpërthim në një platformë nafte, por kjo më pas u mohua nga SOCAR, Kompania Shtetërore e Naftës në Azerbajxhan.
“Nuk ka pasur aksidente në platformat në det të hapur dhe objektet industriale nën kontrollin e drejtpërdrejtë të SOCAR, puna vazhdon në modalitetin normal. Dyshimi ynë fillestar i shpërthimit në det është shpërthimi i një vullkani”, ka deklaruar SOCAR.
Ibrahim Ahmadov, nënkryetari i departamentit të marrëdhënieve me publikun dhe ngjarjeve të SOCAR, tha se shpërthimi ndodhi 10-12 km nga fusha Umid. “Asnjë shpërthim nuk ndodhi në platformat e SOCAR”, tha ai./Opinion.al