Është sigurar ditën e sotme dosja e masakrës së Velipojës, në të cilën u vranë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Në kërkesën e Prokurorisë së Shkodrës bëhet me dije se për Hasan Ferracaku rezulton se ka marrë në trup plagë me armë zjarri. Në deklarimet e tij para hetuesve Hasan Ferracaku shpjegon se ka disa ditë që ka pasur një konflikt për punë çadrash për në plazh me djemtë e Pjetër Gocajt nga Velipoja, ku ai ka marrë me qira ose leje për shfrytëzim të shezllongeve në plazh Velipojë dhe tek vendi në fjalë kanë ndërhyrë edhe djemtë e Pjetrit, dhe për këtë gjë jemi konfliktuar.
Më tej theksohet se me datë 26.06.2021, thuhet në kërkesën e Priokurorisë së Shkodrës, rreth mesnatës kanë shkuar tek lokali i djemve të Pjetrit disa metra me tutje lokalit të tij për t’u sqaruar dhe është ulur në tavolinë me njërin prej djemve të tij dhe pasi kanë biseduar ka krisur arma e zjarrit ku vëllai i tij ka qëlluar me automatik drejt Kujtimit dhe e ka vrarë atë. Kujtimi i është kundër përgjigjur me pistoletë dhe ai i është hedhur dhe kapur armën automatik djalit të Pjetrit dhe më pas janë larguar.
I mituri në konflikt me ligjin, shtetasi Elmedin Dyli tregon se punonte te gjyshi Kujtim Ferracaku si kamarier dhe pasi ka mbaruar punën rreth orës 23.30 ka dalë me stafin e lokalit para hotel “Fantazia” për të pirë kafe dhe aty ka dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kanë qenë bashkë kanë shkuar tek vendi në fjalë. Aty ka parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person, duke sqaruar debatin midis tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm. Në këtë kohë ka shkuar Kujtimi, gjyshi i tij dhe lëshon disa fjalë drejt tyre si “janë marre këto, kush jeni ju”, etj dhe aty ka dëgjuar krisma arme që i kanë ardhur në krah nga pas tij dhe ka parë që Kujtimi është rrëzuar në tokë, aty kanë filluar edhe të shtëna me arme zjarri të tjera. Sipas shtetasit në fjalë, Elmedin Dyli, armë kanë pasur Kujtimi Ferracaku, Hasan Ferracaku dhe Abedin Ferracaku, djali i Hasanit, kurse pala tjetër ka pasur automatik, dhe gjyshi i tij Kujtimi është kundër përgjigjur.
Gjate kontrollit të ambienteve tek vendi ngjarjes, pikërisht tek taraca e hotelit të Pjeter Gocajt janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë mod.7.65 mm, me 3(tre) copë fishekë. Gjatë kqyerjes nuk është gjetur arma automatik, dhe një arme pistoletë T-T.
Por çfarë ka konstatuar policia në momentet e para?
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga oficerët e policisë gjyqësore në vendngjarje është sqaruar se, rreth orës 00:35 është dhënë njoftim te salla operative se tek lokal “Gocaj” në Velipojë ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe ka disa të vrarë dhe të plagosur. Pas mbërritjes së forcave policore në vendin e ngjarjes është konstatuar se në oborrin e hotel dhe restorant “Gocaj”, është gjetur i vrarë shtetasi Kujtim Ferracaku, dhe disa metra me tutje janë gjetur të vrarë shtetasit Edmond Gocaj, vëllai i tij Xhovano Gocaj si dhe një person tjetër që pas identifikimit ka rezultuar se quhej Musaen Zeneli i datëlindjes 2001. Në vijim të hetimeve është marrë informacion se Spitalin Rajonal Shkodër kanë shkuar me ambulancë, të plagosur, shtetasit Hasan Ferracaku dhe i mituri Elmedin Dyli, të cilët pasi janë mjekuar për plagët e marra me armë zjarri, janë nisur me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Si ndodhi konflikti?
Sipas të dhënave të para, ngjarja në fjalë rezulton se ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit Hasan dhe Kujtim Ferracaku, të cilët janë vëllezër me njëri-tjetrin, ditën në fjalë, disa orë më parë, janë konfliktuar me vëllezërit Gocaj lidhur me ndarjen e shezllongëve në plazh dhe në darkë janë takuar për t’u sqaruar me ta. Nga dëshmitë e marra rezulton se anëtarët e familjes Ferracaku (një numër i konsiderueshëm personash sipas dëshmive të marra paraprakisht) kanë shkuar te hoteli i vëllezërve Gocaj. Gjatë bisedës me shtetasit në fjalë, debati është ashpërsuar dhe janë qëlluar me armë të dy palët. Nga personat e konfirmuar që kanë qenë në vendngjarje gjatë debatit janë të konfirmuar Viktima Kujtim Ferracaku, nipi i tij, i mituri në konflikt me ligjin Elmidin Dyli, shtetasi Hasan Verracaku dhe tre djemtë e tij Astrit, Abedin dhe Shyqyri Ferracaku, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Fakti se në vendngjarje është qëlluar nga disa persona konfirmohet nga numri, lloji dhe modeli i gëzhojave që janë gjetur në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se janë përdorur të paktën katër lloje armësh. Nga kqyerja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar një armë tip pistolete e llojit T-T, me 6 fishekë ne krehër dhe një fishek në folenë e fishekut, e gjetur dhe sekuestruar pranë viktimës Kujtim Ferracaku, 8 gëzhoja metalike mod.54 mm, 5 gëzhoja metalike mod.56 mm, 5 gëzhoja metalike mod.7.65 mm, 1 fishek i pa plasur mod.7.65 mm, 3 copë predha arme zjarri. Në vendin e ngjarjes konstatohen që gëzhojat janë në mënyrë të çrregullt e të shpërndara në të gjithë vendin e ngjarjes, ka dëmtime nga predhat në disa llamarina të lokalit, njolla gjaku etj.
Masa e sigurisë për dy të plagosurit të arrestuar
Gjykata e Shkodrës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat për Hasan Ferracakun dhe Elmidin Dylin, dy personat e plagosur në ngjarjen e Velipojës, të cilët u arrestuan si të përfshirë më masakrën që prodhoi katër të vrarë. Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore të të plagosurve. Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim./Opinion.al