Shërbimi për Çështjet e Brendshme Administrative dhe të ankesave ka pezulluar nga detyra dy zyrtarë të policisë në Himarë.
Në njoftimin zyrtar të SHÇBA thuhet se është pezulluar Xh.Q., shef seksioni në komisariatin e Himarës, si dhe inspektori K.S., me detyrë në njësinë Lukovë.
Ky vendim është marrë pasi një shtetase ka denoncuar se është ushtruar dhunë ndaj saj.
Njoftimi
Vlorë – SHÇBA, në kuadër të procedimit penal nr.1522/2020, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ekzekutoi urdhrin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për punonjësit e Policisë:
- N/Komisar XH.Q., me detyrë Shefi Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Himarë;
- Inspektor K.S., me detyre SPZ në Njësinë Administrative Lukovë, Himarë.
Procedimi ka filluar mbi bazën e kallëzimit të një shtetaseje për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, pasi është ushtruar dhunë ndaj denoncueses, nga ana e Inpektorit K.S.
Ekzekutimi i urdhrit u pasqyrua me proces-verbalin përkatës dhe materialet u vunë në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Vlorë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.