Një histori e ngjashme me një skenar filmi ka ndodhur në vendin tonë. Kristiani u njoh me Anisën disa kohë më parë dhe krijuan një marrëdhënie intime. Ai punonte në Mal të Zi dhe çdo qindarkë që kursente ja çonte asaj. Po mendonte të blinin një shtëpi në Shkodër dhe të jetonin së bashku. Por, nuk do të zgjaste shumë lumturia mes tyre, ndërsa ëndrra për të krijuar familje me vajzën që dashuronte u shua shpejt.
Ka qenë mesnata e 8 qershorit 2021, kur Kristiani përfundoi në pranga, pas denoncimit të bërë nga ish-e dashura, e cila pretendonte se ai e kishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht. Por qëndrimi i 28-vjeçarit në qeli nuk zgjati shumë, pasi gjykata zbuloi një tjetër histori, e cila do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, raporton News 24.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë për Kristianin, u zbulua se Anisa ishte një grua e martuar dhe me fëmijë. Ajo ishte afruar qëllimisht me të që ta mashtronte dhe t’i merrte paratë. Për këtë lidhje intime kishte dijeni edhe bashkëshorti i Anisës.
“Nuk e kam dhunuar asnjëherë Anisën. Kam krijuar krejt natyrshëm një lidhje intime me të dhe jam sjellë shumë normalisht. Nuk i kam shkaktuar kurrë shqetësime dhe as kam përdorur dhunë ndaj saj, në asnjë rrethanë”, iu tha ai hetuesve.
Kundër gruas, foli edhe një person me inicialet E.S. ai u intervistua në komisariatin nr.4 më datë 12 qershor 2021. “Anisa njihet si person problematik, pasi është e martuar dhe krijon lidhje të vazhdueshme me persona të tjera, duke përfituar prej tyre të mira materiale. Për lidhjet e saj ka dijeni edhe bashkëshorti. Në momentin që ajo ndodhet me një prej tyre, fillon e krijon probleme me ta dhe vjen në komisariatin 4, duke i kallëzuar ose kërkuar ndihmën e policisë, që t’i ofrojë mbrojtje, duke krijuar situata të pavërteta rreth sigurisë së saj”, thotë E.S.
Ai ka sqaruar para hetuesve se ashtu sikurse Kristiani dhe ai ka qenë viktimë e mashtrimeve të Anisës. Në dokumentin e gjykatës thuhet se “kallëzuesja ka patur njëkohësisht lidhje jashtëmartesore me E.S dhe Kristianin, te cilët janë viktima të mashtrimeve të saj. Fakte këto të sqaruara nga prokuroria në seancë gjyqësore”.
Pas kësaj dëshmie por edhe fakteve Gjykata vendosi ta lirojë nga burgu të riun duke argumentuar se “bazuar në të gjitha provat dhe në shpjegimet e dhëna si nga prokuroria, ashtu dhe vetë personi nën hetim dhe avokati i tij, në këtë seancë nuk konkludohet se ndodhemi përpara dyshimit të arsyeshëm që personi nën hetim të ketë konsumuar ndonjë vepër penale”.
Mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Kristiani, prokuroria tashmë po heton gruan për veprën penale të mashtrimit.