Parlamenti i Suedisë rrëzoi të hënën Qeverinë e kryeministrit Stefan Lofven përmes votës së mosbesimit. Nga 349 ligjvënësit, 181 votuan në favor të mocionit, ndërsa 51 abstenuan.
Është hera e parë në historinë suedeze që një kryeministër rrëzohet në një votim të tillë. Lofven, udhëheqës i Social-Demokratëve, ka një javë kohë për të dhënë dorëheqje ose për të thirrur zgjedhjet e parakohshme.
Nëse vendos për zgjedhje të parakohshme, ato do të ishin të parat në Suedi që nga viti 1958. Nëse vendos të japë dorëheqje, kryetari i Parlamentit duhet të nisë negociatat ndërpartiake për formimin e një qeverie të re.
Lofven u mposht pas gati shtatë vjetësh në pushtet, për shkak të një plani për të lehtësuar kontrollet e qirasë për apartamentet e reja. Votimi për mocionin e mosbesimit u thirr nga Demokratët, pasi Partia e Majtë e tërhoqi mbështetjen për Social-Demokratët e Lofvenit, për reformimin e kontrollit të qirasë.
Lofven e ka siguruar mandatin e dytë si kryeministër në vitin 2018, pas disa muajsh negociata, por që atëherë ka udhëhequr një Qeveri të brishtë të pakicës. Qeveria është përbërë nga Social-Demokratët e tij dhe Të Gjelbrit, është mbështetur nga Partia e Qendrës dhe Liberalët, por ka pasur nevojë edhe për mbështetjen e heshtur të Partisë së Majtë./ REL