Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka deklaruar ditën e sotme se personi i arrestuar nga policia si organizator i një grupi të trafikut të drogës në Gjermani e Zvicër është punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe sipas Bardhit rezulton të jetë patronazhist i PS-së.
Ndër të tjera në një deklaratë Bardhi shprehet se ky është kriminalizimi i politikës dhe kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit.
“Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së ?. Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend”, shkruan Bardhi./Opinion.al