Shqipëria ka blerë një tjetër sasi vaksinash Pfizer në kuadër të fushatës së vaksinimit kundër COVID-19. Vendimi është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave.
Në vendim thuhet se për shkak të sekretit tregtar detajet e marrëveshjes nuk do të bëhen publike.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI
Neni 1
Miratimi i tekstit të marrëveshjes
- Miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
2. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Overseas LLC, nuk do të publikohet në asnjë ëebsite të institucioneve apo në “Fletoren zyrtare”.
3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për këtë marrëveshje, sipas kushteve të tekstit të saj, bashkëlidhur këtij akti normativ.
Neni 2
Efektet financiare
Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.