Komanda europiane e Shteteve të Bashkuara i ka dhuruar Shqipërisë rreth 1 milion dollarë pajisje mjekësore kundër COVID-19, për spitalin Nënë Tereza në Tiranë.
Në ceremoninë e organizuar gjatë fjalës së saj ambasadorja Yuri Kim është shprehur se SHBA përkujdeset për popullin shqiptar duke cituar një shprehje nga sekretari Baker disa vite më parë.
“Kur dikush të hapë atë frigorifer për të marrë një dozë vaksine, kur një pacient të shtrihet në një prej atyre krevateve, kur një ekspert të lexojë një prej atyre ekranëve, shpresoj të kujtohen thellë në zemrat e tyre, se populli amerikan përkujdeset. Ne përkujdesemi shumë për popullin shqiptar. Dhe ashtu siç ka thënë edhe Sekretari Baker kur ishte këtu shumë vite më parë, ‘ju ishit me ne dhe ne jemi me ju ’, tha Kim.
Pajisjet e dhuruara përfshijnë shtretër spitalorë dhe dyshekë për repartin e reanimacionit, respiratorë, aparate grafie, aparate me ultratinguj dhe pajisje mbrojtëse./Opinion.al