Menjëherë pas shkarkimit të Valdete Dakës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Në një njoftim për mediat, Presidenca thekson se kreu i ri i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi “cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendimmarrje”.
“Emërimi i gjyqtarit z. Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të sigurojë që integriteti i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësoj mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës“, shtohet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit.
Më herët në njoftimin për shkarkimin e Dakës, Vjosa Osmani deklaroi se kryetarja e KQZ kishte cenuar besueshmërinë e institucioneve me vendimet e marra.